Fjalë Kyçe

Përparim Kryeziu emërohet zëdhënës i Qeverisë së Kosovës

Përparim Kryeziu emërohet zëdhënës i Qeverisë së Kosovës

Përparim Kryeziu është emëruar zëdhënës i qeverisë Kurti.

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra e kryeministrit.

Përparim Kryeziu është i diplomuar me nderime të larta nga Universiteti i Ri i Lisbonës (Universidade NOVA de Lisboa), ku ka studiuar Sociologji Ekonomike dhe të Organizatës. Ai ishte bursist i programit SIGMA Agile, të financuar nga Komisioni Evropian i BE-së.

Studimet bachelor në Sociologji Kryeziu i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, vitin e fundit të të cilave e ka ndjekur në Universitetin e Antëerpit në Belgjikë, si përfitues i bursës JoinEU-SEE, të financuar gjithashtu nga Komisioni Evropian.

Ai ka qenë edhe bursist pionier i programit të shkëmbimit YES (Youth Exchange and Study) të financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nëpërmjet të cilit ka ndjekur një vit të shkollës së mesme në Vermont të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për afër tre vjet ka qenë aktivist i shoqërisë civile, i angazhuar si asistent hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë dhe hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.

Kryeziu ishte zëdhënës i Qeverisë Kurti I, dhe vitin e fundit ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!