Prokuroria e Gjakovës ka kërkuar që M.J t’i caktohet masa e paraburgimit pasi dyshohet se ka kryer veprën vrasje e rëndë në tentativë.
I dyshuari më 31 mars të këtij viti kishte tentuar ta vriste gruan e tij në parkun e qytetit në Gjakovë, duke përdorur thikën ku e kishte goditur R.J tetë herë me thikë në qafë, gjoks, brinjë dhe duar.
“E njëjta nga lëndimet e marra është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Rasti ka ndodhur në prezencën e dy fëmijëve të tyre, ku më pas i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes. Prokurori i rastit ndaj të pandehurit M.J., ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 31 mars 2021”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.