Fjalë Kyçe

Ligji për Zgjedhje nuk kalon në procedurë të përshpejtuar

Ligji për Zgjedhje nuk kalon në procedurë të përshpejtuar

Ka dështuar propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që shqyrtimi i Ligjit për Zgjedhjet të bëhet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës.

Për propozimin kanë votuar 65 deputetë, ndërsa kundër 39. Rrjedhimisht, nuk janë arritur 2/3 e votave të kërkuara.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ky ligj do të shkojë në procedurë të rregullt.

“Ky projektligj do ta marrë rrugën e tij të shqyrtimit të zakonshëm në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Në sallë ishin 105 deputetë, kur është votuar për këtë iniciativë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë pas përfundimit të seancës se kryeministri Albin Kurti – lider i Lëvizjes Vetëvendosje – e ka kërcënuar demokracinë në Kosovë.

“U synua që të kërcënohet demokracia dhe rendi kushtetues. Nëpërmjet arrogancës së numrave u synua të shantazhohen deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gashi.

“Ne jemi këtu për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Nëse ky ligj nuk tërhiqet, kryeministri Kurti do ta çojë vendin në zgjedhje. Albin Kurti po ka frikë të qeverisë me vendin, edhe pse ka mjaftueshëm deputetë”, ka thënë Gashi.