Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se është i pushuar në procedurë Ligji për Zgjedhjet dhe se kanë qenë të gatshëm për t’i dhënë edhe nënshkrimet për tërheqjen e projektligjit siç ka kërkuar LDK-ja, por se kjo e fundit s’ka qenë e gatshme të garantojë se deputetët e saj do të qëndrojnë në sallë kur do të votohet presidentja.
“I kam kërkuar se a mund Arben Gashi të konfirmojë që nëse ndodh edhe kjo çështje teknike të dorëzimit të nënshkrimeve tona për tërheqjen e projektligjit, i cili tashmë është i pushuar në procedurë garantojë dhe të thotë publikisht se LDK do të jetë në sallë kur votohet presidenti. Ai (Arben Gashi) refuzoi në mbledhjen e Kryesisë”.
Kusari-Lila ka thënë se këtë nuk po e bëjnë për inat të askujt.
“E fundit që duam ta bëjmë është të shtyhemi me inate me këdo. E kuptojmë peshën e përgjegjësisë së formimit të institucioneve dhe në veçanti posti i presidentit nuk është vetëm për postin e presidentit, por edhe lidhet me funksionimin e dy institucioneve tjera”.