Me mbledhjen e fundit të Qeverisë është marrë vendim që të gjitha institucionet publike dhe private të punojnë vetëm me stafin esencial.“Në institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale.
Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Po ashtu sipas vendimit punëdhënësit publik apo privat, udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët e tjerë që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit.
Gjithashtu Qeveria ka obliguar punëdhënësit që në bashkëpunim me punëtorët të definojnë pozitat e punës që mund të kryhen nga shtëpia.
Ky vendim është marrë për shkak se në bazë të hulumtimit epidemiologjik të rasteve me COVID-19 dhe gjurmimit të kontakteve, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës, si ngjarje potencialisht super-shpërndarëse të infeksionit janë identifikuar: gastronomia; institucionet publike; puna në zyre/vende të përbashkëta; qendrat tregtare; shkollat; grumbullimet e personave, me theks të veçantë rastet e vdekjes dhe ahengjet e ndryshme.