Fjalë Kyçe

Një muaj paraburgim burrit që dyshohet se rrahu bashkëshorten për shkak të televizorit

Një muaj paraburgim burrit që dyshohet se rrahu bashkëshorten për shkak të televizorit

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit A.Q. që dyshohet se kishte rrahur bashkëshorten e tij për shkak të televizorit.

Siç thuhet në njoftim të gjykatës, i pandehuri, më 15 prill, në orët e mesditës për shkak të mosmarrëveshjeve me bashkëshorten rreth televizorit, e kishte sulmuar me grushte në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Kjo gjykatë ka caktuar masën e paraburgimit duke thënë se ka marrë parasysh edhe deklarimin e të dëmtuarës që ka thënë se i pandehuri kishte ushtruar dhunë ndaj saj edhe në të kaluarën.

“ Andaj, nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i ligjshëm dhe i domosdoshëm, pasi që në rastin konkret kemi të bëjmë me veprën penale të lëndimit të rëndë trupor ku viktimë është personi i ndjeshëm dhe i pandehuri është në marrëdhënie familjare, me të cilën vepër penale kanoset apo dëmtohet integriteti trupor i njeriut si një nga të drejtat elementare e fondamentale, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.