Fjalë Kyçe

Kreu i MSH-së njofton se kur do të vijnë vaksinat e tjera në Kosovë

Kreu i MSH-së njofton se kur do të vijnë vaksinat e tjera në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur rreth procesit për sigurimin e vaksinave anti COVID-19.

Para gazetarëve ai ka thënë se deri në fund të muajit prill nuk do të vijë kontingjenti tjetër i vaksinave.

“Deri në fund të prillit nuk do të vije kontingjenti tjetër i vaksinave”. “Nëse kemi pasur një pikë të shndritshme në shëndetësi gjatë historisë kosovare, ka qenë vaksinimi. Ekipet janë të jashtëzakonshme në secilën komunë”.

“Ne jemi duke biseduar me të gjitha kompanitë prodhuese. Ka buxhet të mjaftueshëm – buxheti nuk ka qenë në asnjë moment problemi sa i përket sigurimit të vaksinave”.

Gazeta Insajderi gjatë ditës ka publikuar një hulumtim ku thuhet se ministri Arben Vitia nuk ka nënshkraur kontratë me kompaninë Pfizer dhe BioNtech.

Sipas Insajderit, e gjithë puna për furnizim me vaksina është kryer. Duhej vetëm që Vitia të nënshkruante kontratën të cilën nuk e ka bërë. Si pasojë e kësaj, furnizimi me vaksina do të shtyhet deri në shtator.

E lidhur me këtë çështje Vitia thirri konferencë për media ku mohoi diçka të tillë. Ai nuk dha shumë detaje për shkak se, sipas tij, mund të dëmtohet procesi i negocimit dhe gjithçka është konfidenciale.

Megjithatë ai tha me siguri të plotë se hulumtimi i Insajderit nuk qëndron saktë.

“Më lejoni të jem i shkurtë dhe i qartë, lajmi i publikuar në gazetën Insajderi është i pavërtetë i dëmshëm dhe dashakeq”, është shprehur Vitia.