Fjalë Kyçe

Jashari e Tahiri përkujtojnë Idriz Rrecajn në 22-vjetorin e rrëmbimit të tij nga forcat serbe, kërkojnë ndriçimin e këtij krimi

Jashari e Tahiri përkujtojnë Idriz Rrecajn në 22-vjetorin e rrëmbimit të tij nga forcat serbe, kërkojnë ndriçimin e këtij krimi

Kryetarët e komunave të Skenderajt dhe Vushtrrisë janë bërë bashkë për të përkujtuar veprimtarin Idriz Recaj, në 22-vjetorin e zhdukjes së tij bashkë me 22 intelektualë të rajonit të Drenicës.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, janë bërë bashkë të hënën për të vënë kurora lulesh tek pllaka përkujtimore e Rrecajt, aktivist i njohur i viteve ’90 dhe një kohë kryetar i Degës së LDK-së në Skenderaj. Krerëve të dy komunave u janë bashkuar edhe përfaqësues të tjerë partiakë dhe politikë, si dhe bashkëveprimtarë të Rrecajt, të cilët folën për veprën e tij.

“Dëshmorët dhe martirët e lirisë janë nderi dhe krenaria jonë e përjetshme, andaj jetësimi i amanetit të tyre është obligim i yni, i cili nuk duhet të anashkalohet kurrsesi”, ka shkruar më pas kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Rrecaj është zhdukur më 19 prill të vitit 1999. Dëshmitarë të ndryshëm kanë rrëfyer se ai është marrë nga forcat policore dhe paramilitare serbe, bashkë me 22 aktivistë tjerë të rajonit të Drenicës. Deri më tash rasti i rrëmbimit të Rrecajt dhe të tjerëve nuk është ndriçuar, ndërsa ata mbeten ende të pagjetur.

“Zbardhja e fatit të heroit Idriz Rrecaj dhe të gjithë atyre që ishin me të atë ditë të kombshme kur u kidnapuan nga forcat paramilitare serbe e plotëson lirinë e Kosovës. Gjykimi i kriminelëve të këtij krimi makabër është drejtësi për familjet e tyre.”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.