Avokati dhe njohësi i rrethanave në Kosovë e rajon, Azem Vllasi, e ka quajtur të rrezikshme idenë e përfolur për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor.
Duke komentuar një letër të përfolur të kryeministrit slloven Janez Jansha për ridizajnim të kufijve në Ballkan, Vllasi ka thënë se kjo hartë e re ia kujton luftërat që ishin nisur pikërisht për këtë çështje.
“Kjo letër në fakt është një pamflet i rrezikshëm sepse na ofron si zgjidhje prekjen e kufijve. Çështja e kufijve para 30-vjetësh na futi në të gjitha ato tragjedi, Kroaci, Bosnje e Kosovë. Të gjitha u filluan nga Serbia me qëllim që t’i korrigjojë kufijtë që ajo të zgjerohet në territoret ku jetojnë serbët. Ajo i nisi me atë synim”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.
Ai ka thënë se prekja e kufijve nuk është vlerë evropiane.
“Nuk është zgjidhje sidomos jo për Ballkan. Nuk dihet ku del”, ka shtuar ai.