Neuropsikiatri Afrim Blyta ka thënë se jemi në këtë gjendje si popull për shkak se na mungon ndërgjegjja kolektive.
Blyta në emisionin “Kallxo Përnime” tha se rezultat i kësaj gjendjeje është kultura shekullore prej së cilës jemi qeverisur.
“Jemi këtu ku jemi për shkak se jemi grup i individëve të pakoordinuar, për arsye se nuk ekziston diçka që quhet ndërgjegje kolektive dhe ky është rezultat i një kulture shekullore që na udhëheq. Për ne është shumë me rëndësi përemri pronor ‘E imja’, tek ne nuk ekziston ‘E jona’. Ne po e shohim situatën e pandemisë, e dimë të gjithë se vendosja e maskave është në interes të secilit prej nesh, por ne nuk e vendosim atë. Një gjë e tillë, në popujt që kanë ndërgjegje kolektive, nuk ekziston,” ka thënë Blyta.
Tutje Blyta shtoi se tek popujt me sjelle të tilla nevojitet një lider i cili na tregon si të ecim, por bashkëdyzimi i një lideri të pamoralshëm dhe qytetarit të pandërgjegjshëm na ka sjellë në këtë situatë.
“Meqenëse jemi individualistë dhe nuk e kemi atë që quhet ndërgjegje kolektive, neve na duhet një lider, i cili na tregon si duhet të ecim. Po ta kemi një lider të moralshëm, qytetari kështu si është, bëhet i ndershëm, por nëse lideri është i pamoralshëm, njëjtë do e kemi edhe qytetarin. Ky bashkëdyzim i qytetarit të pandërgjegjshëm dhe liderit të pamoralshëm na ka sjellë në këtë situatë,” ka shtuar tutje Blyta.