Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takimin e 11 majit në Bruksel me palën serbe.
Kurti e bëri të ditur këtë para mediave në Bruksel.
“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ndryshe ky takim ishte paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Pas kësaj ka reaguar avokati, Arianit Koci i cili tha se çdo politikan me pak dinjitet, e kishte refuzuar pjesëmarrjen në një takim që nuk e ka konfirmuar.
Madje ai tha se është koha që ndërmjetësuesit evropian të kuptojnë se ne kosovarët, jemi palë e barabartë në bisedime.
“Çdo politikan me një trohë dinjiteti, e kishte refuzuar pjesëmarrjen në një takim që nuk e ka konfirmuar.Për më tepër, si duket për datën e takimit, pala kosovare e ka kuptuar prej mediave.Prandaj, koha është që ndërmjetësuesit evropian ta kuptojnë që ne kosovarët, jemi palë të barabarta në bisedime.Bravo Albin!”, shkroi ai.