Fjalë Kyçe

Gjykata Speciale flet për letrën që Hashim Thaçi nga Haga ia dërgoi Edi Ramës

Gjykata Speciale flet për letrën që Hashim Thaçi nga Haga ia dërgoi Edi Ramës

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, kanë deklaruar se personat e paraburgosur mund të dërgojnë dhe të pranojnë letra nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Këtë qëndrim e ka dhënë për KALLXO.com shefja e sektorit të Informacionit dhe Komunikimit Publik të Gjykatës Speciale, Angela Griep, kur është pyetur nëse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur të drejtë të dërgojë letër për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.Griep në një përgjigje me shkrim ka theksuar se për arsye të privatësisë nuk mund të japin informacione specifike për letërkëmbimet e një të paraburgosuri.Ajo ka shtuar se të paraburgosurit duhet që personalisht të mbulojnë shpenzimet për dërgimin e letrave ose në rast se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, kjo mund të mbulohet financiarisht nga Dhomat e Specializuara.“Të paraburgosurit mund të dërgojnë dhe marrin letra. Ata duhet të mbajnë shpenzimet për shërbimet postare të disponueshme në shërbimet e paraburgimit, ose, në rast se nuk mund ta përballojnë atë, të paraqesin një kërkesë me shkrim që shpenzimet të mbulohen nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në përgjigjen e saj.

Zëdhënësja Griep ka treguar edhe procedurat e kontrollit të letrave në fjalë.“Siç është e nevojshme në mjedisin e sigurisë së lartë të Qendrës së Paraburgimit, Kryeshefi i Paraburgimit do të hapë, inspektojë dhe lexojë letërkëmbimin e të burgosurve në hyrje dhe dalje”, tha ajo, duke shtuar se korrespondenca e mbrojtur nga konfidencialiteti nuk do të hapet ose lexohet.“Kjo përfshin korrespondencën me një këshilltar të të paraburgosurve dhe autoritete specifike si ICRC [Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq], Ombudspersoni, regjistruesi ose një anëtar i stafit që vepron në emër të saj, një gjykatës ose kolegj i Dhomave të Specializuara ose një anëtar i stafit që vepron në emër të tyre, ose një autoritet tjetër gjyqësor njohur nga sekretari”, ka shtuar ajo për KALLXO.com.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, të martën njoftoi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga ia ka dërguar një letër atij. Në këtë letër, të cilën Rama e ka publikuar në Facebook, Thaçi e ka uruar atë për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.Thaçi që nga nëntori i vitit të kaluar po qëndron në paraburgim në Hagë, pasi ndaj tij dhe të tjerë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), iu konfirmuan aktakuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Akuzat janë mohuar nga ish-presidenti Thaçi.Thaçi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovë, më 5 nëntor 2020, në ditën kur iu konfirmua aktakuza.