Gjykata Supreme e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç’rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e bëri të ditur avokati mbrojtës i Grabovcit, Florent Latifaj.
“Po, Gjykata Supreme e ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe rasti është kthyer në rigjykim”, tha Latifaj.
Vendimi i Supremes vjen pasi që mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar kësaj gjykate me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Ndryshe, ky rast kishte shkuar në Gjykatë Supreme edhe me ankesë të Prokurorisë Speciale dhe të mbrojtësve së të akuzuarve.
Por, në nëntor të vitit 2020, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes një komunikate për media, kishte bërë të ditur se kishte refuzuar ankesat e prokurorisë speciale dhe ato të mbrojtësve dhe kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Apelit, ndaj tre të akuzuarve në rastin e njohur si “Pronto”, Adem Grabovci, Ilhami Gashi dhe Sadat Gashi.
Ata akuzoheshin për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.
Gjykata e Apelit, me 30 qershor 2020, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtor Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Adem Grabovcit, i cili ishte liruar nga akuza nga shkalla e parë, Apeli i ka shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Grabovcit i është hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Ndërsa Sedat Gashi është dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Kurse për të akuzuarit tjerë në këtë rast, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fatmir Shurdhaj, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë.