Fjalë Kyçe

Robelli: Ideja e Thaçit për ndryshim kufijsh ka qenë tejet personale

Robelli: Ideja e Thaçit për ndryshim kufijsh ka qenë tejet personale

Gazetari Enver Robelli ka thënë se motive personale kanë qenë ato që e kanë shtyrë ish-presidentin Hashim Thaçi të mendonte për ndryshim kufijsh si zgjidhje për çështjen e konfliktit me Serbinë. Ai në emisionin “Desku” në KOHA ka thënë se me këtë Thaçi synonte të futej në histori si personalitet që zgjidhi problemet e Ballkanit.

“Jo vetëm ideja për prishjen e kufijve ka qenë e tmerrshme, por edhe motivet sidomos të Thaçit që të shtyhet një ide e tillë kanë qenë tejet personale, që të hyjë në histori si personalitet që e zgjidhi një nyje ballkanike në 100 vitet e fundit, konfliktin serbo-shqiptar dhe shpresa e tij që si i veshur me stolitë e paqebërësit s’do të ketë problem me gjyqësinë”, ka thënë ai.

Robelli e ka cilësuar të gabuar edhe deklarimin e disa zyrtarëve të Vetëvendosjes që kërkojnë bashkim kombëtar, pa u marrë vesh me klasën politike në Shqipëri.

“Bashkimi ndodh kur të ketë bashkëpunim të ngushtë e dy shtetet mbështesin njëra tjetrën e jo që firmat e Shqipërisë të fusin para të pista e ato të Kosovës apo politikanët të blejnë prona në Shqipëri. Është më shumë kazino kubaneze”, ka thënë më tej ai duke kërkuar të mos ketë interferime të njërit lider te shteti tjetër.