Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë në “Desku” të KTV-së se likudimi i ndërmarrjeve shoqërore duhet të ndalet dhe asetet t’i rikthehen një mekanizmi që do të ishte brenda Qeverisë.
Murati ka thënë se është e panevojshme që Kosova të ketë ende Agjenci të Privatizimit duke shtuar se shuarja e saj parashihet për vitin e ardhshëm.
“Është e panevojshme të kemi një agjenci të tillë e sidomos me historikun që e ka dhe orientimi do të ishte që të ketë një mirëshfrytëzim të atyre resurseve që kanë mbetur, të bashkohen në Fondin Sovran dhe të krijohet një shtresë e re e cila e largon nga ndikimet politike dhe operon në baza komerciale. Shuarja është proces por si nismë ligjore nuk fillon këtë vit. Parashihet shuarja për vitin e ardhshëm. Duhet të shikohet mënyra e stopimit, në momentin kur kanë hyrë në likuidim ndërmarrjet, shitje nuk ka, ka pasur tendenca për të shkuar me variantin e negocimit direkt. Valët e shitjes janë ndaluar me kërkesë të Qeverisë. Nuk ka shitje të reja, me valë privatizimi. Ato që janë në proces të likuidimit, duhet të stopohet ajo shuarja dhe likuidimi dhe ato asete t’i rikthehen atij mekanizmi që do të ishte brenda Qeverisë”, ka thënë Murati.
Sipas tij, procesi i privatizimit e ka dëmtuar ekonominë e Kosovës pasi shumë asete strategjike janë shitur me çmime qesharake e me procese korruptive.