Kreu i Klinikës së Neurokirurgjisë, Arsim Morina, që prej fillimit të këtij viti ka filluar të bëjë referime të pacientëve me disa patologji të caktuara, me arsyetimin se nuk ka neuro-anesteziolog.
Anise, këtë konkludim nuk e ka dhënë Kolegjiumi i Anesteziologëve, njofton Klan Kosova
Madje për këtë e kishte paralajmëruar edhe kreun e SHSKUK-së Valbon Krasniqin dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, duke i’u dhënë një ultimatum, t’a rikthejnë në punë anesteziologen e pensionuar Qamile Morina, që rastisë të jetë gruaja e tij, ose në të kundërtën pacientët do t’i referojë për trajtim jashtë vendit.
Kjo ngase, sipas neurokirurgut Morina, operacionet e rënda nuk mund t’i kryejë me anesteziologë të tjerë, por vetëm me neuro-anesteziologen e pensionuar, për shkak se është e vetmja e trajnuar në spitale evropiane për patologji të rënda, edhe pse Qamile Morina posedon licencën e punës vetëm me titullin specialiste e Anesteziologjisë me Mjekim Intensiv.
Megjithatë, drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe MIQ, Nehat Baftiu, ka bërë me dije se nuk ka subspecializime të anesteziologjisë, teksa në njësinë e Anestezisë në Neurokirurgji janë dy specialistë që i kryejnë të gjitha punët profesionale me sukses.
“Në vendin tonë dhe shumicën e shteteve evropiane nuk ekziston subspecializim nga anesteziologjia. I vetmi subspecailizim nga kjo lëmi në disa shtete është Mjekimi Intensiv. Asnjë dokument i tillë, neuro-anestziolog, nuk është lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, gjegjësisht nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Nuk na habit fakti për një konkluzion të tillë konziliar, pasi që anëtarët e këtij konsiliumi nuk kanë njohuri nga lëmia e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit”, deklaron Drejtori i Anesteziologjisë dhë MIQ, Nehat Baftiu.
Mirëpo, kur njëra nga referimet arriti në Bordin për Trajtim jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, situata ndryshoi. Pasi ky bord lëndën e dërgoi në Inspektoratin Shëndetësorë, meqë pretendon se ka anesteziologë të tjerë që mund të realizojnë këtë intervenime.
Nga Inspektorati Shëndetësorë thanë se janë në fazën e inspektimeve, dhe varësisht nga të gjeturat do të ndërrmarin masat përkatëse.