Fjalë Kyçe

Lehtësohen masat, vaksinimi masiv askund

Lehtësohen masat, vaksinimi masiv askund

59 mijë e 509 persona apo vetëm 3.3% e popullsisë së Kosovës janë imunizuar kundër COVID-19, deri këtë të mërkurë.

Vaksinimi i qytetarëve deri më tani është bërë me vaksina të dhuruara nga mekanizmi COVAX e Bashkimi Evropian. Këta dy qytetarë ishin të vetmit që u panë duke u vaksinuar në mesditën e së mërkurës në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë.

Aty nuk u prononcua askush, por vetëm përmes një përgjigjeje me shkrim koordinatori i kësaj qendre ka thënë se në nivel vendi gjatë ditës janë vaksinuar mbi 1 mijë persona.

E nga Ministria e Shëndetësisë shkurt kanë thënë se tash janë të furnizuar mjaftueshëm me vaksina dhe se janë në pritje edhe të mbi 100 mijë vaksinave të tjera, në ditët në vijim. Vaksinim masiv në muajt në vazhdim u ka premtuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kryetarëve të komunave.

Në një takim të mbajtur gjatë ditës, Vitia e kryetarët e komunave kanë diskutuar edhe për lehtësimin e masave anti-COVID.
“Kemi biseduar për largimin e kufizimit të lirisë së lëvizjes dhe ministri Vitia deklaroj se janë marr parasysh, dhe pritet vendimi final në qeverinë e Kosovës, për lehtësimin e masave dhe për gastronominë që të lejohen të punojnë deri në orën 23:00 siç ka qenë më përpara”, tha Sazan Ibrahimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ministri Vitia ka takuar edhe përfaqësuesit e hotelieres të cilëve u ka premtuar se nga 15 qershori do të lejohen edhe ahengjet.

Këtë e ka konfirmuar edhe MSh-ja me anë të një njoftimi.

“Ministri Vitia i informoi kryetarët e komunave për gjendjen e përditësuar epidemiologjike dhe rrjedhën e procesit të vaksinimit. Ai theksoi se gjatë kësaj jave pritet një kontingjent prej rreth 100 mijë dozave përmes Aleancës COVAX, kështu që gjatë muajve të ardhshëm të arrijmë t’i vaksinojmë popullatën më në rrezik. Duke marrë parasysh që ndikimi i COVID-19 përveç në shëndetin publik ka shtrirë ndikimin e tij edhe në ekonomi dhe duke veçuar rëndësinë e vizitës së diasporës në Kosovë është tejet e rëndësishme që ne të arrijmë të vaksinojmë sa më shumë qytetarë deri në verë. Kryetarët e komunave u informuan se po bëhen përgatitjet dhe planifikimet për planin e ri të veprimit. Ky proces nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e ngushtë me komunat e Kosovës, me theks të veçantë, me kryetarët dhe shtabet komunale emergjente andaj dhe kërkoi përkushtimin e tyre dhe kapaciteteve komunale ndaj drejtorive të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare. Gjithashtu në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe ekspertëve shëndetësorë, ministri Vitia theksoi se sipas analizës epidemiologjike jemi duke planifikuar lehtësimin e masave parandaluese konform realitetit në terren, gjithmonë duke tentuar balancën mes shëndetit publik dhe ekonomisë”, thuhet nga MSH-ja.

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, ministri Vitia u ka thënë se varësisht nga situata me pandeminë pritet që në gjysmën e muajit qershor të lejohen edhe ahengjet.