Fjalë Kyçe

Vetëm gjatë majit u raportuan rreth 70 raste të dhunës seksuale

Vetëm gjatë majit u raportuan rreth 70 raste të dhunës seksuale

Muaji maj ka shënuar rritje të madhe të raportimeve të rasteve të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e rasteve të dhunimit. Vetëm gjatë këtij muaji janë raportuar gjithsej 69 raste të kësaj natyre.

Bëhet fjalë për raportimin e 20 rasteve të ngacmimeve seksuale, 25 raste të sulmeve seksuale dhe 24 raste të dhunimit, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Bazuar në raportin që Policia ia ka treguar KOHËS, del se në pesë muajt e parë të vitit 2021 ka pasur 138 raste të ngacmimeve, sulmeve e dhunimeve. Kjo është për vetëm 30 më pak se sa ishte shifra totale e këtyre rasteve në 12 muajt e vitit 2020.

Nga 1 janari e deri më 30 prill, sipas Policisë, ishin 20 raste të ngacmimit seksual, 21 të sulmit seksual e 28 të dhunimit. Ndërsa, duke e përfshirë muajin maj, deri më datën 29, shifrat kanë shkuar në 40 për ngacmime seksuale, 46 për sulme seksuale e 52 për dhunim.

Raportimi më i lartë i rasteve erdhi në muajin kur në vend u regjistruan shumë protesta e marshe si rezistencë ndaj ngacmimeve, sulmeve e dhunimeve seksuale. Të gjitha marshet e protestat kërkesë kryesore e kanë drejtësinë dhe sigurinë e vajzave dhe grave.

“Dhuna seksuale ndaj grave është evidente në çdo qytet, fshat e lagje. E edhe rezistenca e kundërshtimi ynë i organizuar duhet të shtrihet në çdo qytet, fshat e lagje”, ka deklaruar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, një grup aktivistësh për të drejtat e barabarta gjinore.

Protesta e parë u organizua nga ky grup pasi që me 15 maj u publikua një video me pretendimin për ngacmim seksual të një të miture në afërsi të një shkolle në kryeqytet.

Këta aktivistë protestuan para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit më 17 maj, dy ditë pas publikimit të ngacmimit seksual, duke kërkuar futjen e edukatës seksuale në shkolla, ambiente të sigurta për nxënësit, punësimin e punëtorëve socialë dhe psikologëve në të gjitha shkollat.

Protesta e dytë u organizua për të njëjtin rast në po atë javë nga gjimnazistët e “Ahmet Gashi”, “Sami Frashëri” dhe “Xhevdet Doda”.

Marshi u mbajt në qendrën e Prishtinës me sloganin “TRAUMË, JO LOJË”, ku u parashtruan kërkesat për futjen e edukimit seksual në shkolla dhe funksionalizimin e psikologëve nëpër shkolla.

Protesta e tretë u mbajt në Mitrovicë nga KMVF, pasi që të shtunën, me datën 24 maj, u raportua se dy burra e kishin përdhunuar një vajzë të mitur në këtë komunë. Me kërkesën “Thuani emrat e përdhunuesve dhe ngacmuesve seksualë!” feministët u mblodhën në rrugën Isa Boletini të qytetit të Mitrovicës.

Në lidhje me këtë, “Grazeta”, një gazetë feministe në gjuhën shqipe, ka bërë thirrje për nënshkruarjen e një peticionit që t’u publikohen emrat e abuzuesve seksualë.

Protesta e katërt u mbajt gjithashtu nga KMVF të hënën në Pejë me sloganin “Kundër përdhunuesve e ngacmuesve seksualë”, ku prezentë ishin rreth 50 persona. Të shtunën u protestua edhe në Deçan.