Ngjarja tragjike që ndodhi në Greqi me zjarrin si dhe përmbytjet në Japoni, rrëshkitjet dhe zjarret në Kaliforni ka bërë që gjithë vëmendja e mediave dhe opinionit publik të përqendrohet tek natyra.
Mirëpo sipas shkencëtarëve në pak dekada, Toka do të përballet me një klimë që do të ndryshojë me shpejtësi, me shira të rrëmbyer, përmbytje dhe flakë si ato në Greqi dhe në gjithë Europën.
Kjo do të sjellë një mot të paqëndrueshëm për shkak edhe të ngrohjes globale.
95 për qind e shkencëtarëve mendojnë se kjo është pasojë e aktiviteteve të njeriut. Grafiku i emetimit të karbonit në atmosferë është rritur përtej normës që në vitet 1950 dhe nuk ka ndaluar më, me një rritje të vazhdueshme.
Ngjarjet tronditëse si ato në Greqi, me zjarre vdekjeprurëse që kanë marrë jetën e më shumë se 80 njerëzve, temperaturat ekstreme, ndryshime të menjëhershme të motit në të gjithë globin, janë pasojë e ngrohjes globale, shkruan Panorama.
Michael Mann, një nga shkencëtarët më të shquar në botë për klimën tha:
Valët ekstreme të nxehtësisë dhe zjarret që kanë përfshirë të gjithë globin, nga Rrethi Arktik në Greqi, nga Amerika Veriore në Japoni, janë fytyra e ndryshimeve klimatike. Ne realisht nuk do t’i kishim parë këto ekstreme po të mos kishim ngrohje globale. Parashikimet për efektet e ngrohjes globale tani po i shohim në kohë reale.”
Ata dolën në përfundimin se vala e nxehtësisë që ka përfshirë vrullshëm Europën Veriore është bërë dy herë më shumë e mundur nga ndryshimet klimatike. Edhe pse rezultati është paraprak, shkencëtarët janë të bindur se sinjali i ndryshimit të klimës është i pamohueshëm. Zërat më të njohur të studimit të klimës në botë, kanë parashikuar se ngrohja globale është duke e rritur numrin dhe intensitetin e valëve të nxehtësisë, por ngjarje edhe më të këqija se këto të tanishmet, do të godasin vit pas viti me më shumë intensitet, deri në vitet 2040.
Në Europë, vala e nxehtësisë është shkaktuar nga ndalimi i rrymave të vrullshme, që zakonisht kalojnë motin e ftohtë të Atlantikut në kontinent. Kjo e ka lënë ajrin të nxehtë e të thatë për të paktën dy muaj, shumë më gjatë se zakonisht. Ndalimi apo zvogëlimi i rrjedhës ajrore të hemisferës veriore po lidhet gjithnjë e më shumë me ngrohjen globale, veçanërisht me ngrohjen e shpejtë të Arktikut dhe shkrirjen e akullit në det.