Fjalë Kyçe

PDK-ja nuk e kandidon Ramiz Lladrovcin për kryetar, dega në Drenas propozon Driton Ajazin

PDK-ja nuk e kandidon Ramiz Lladrovcin për kryetar, dega në Drenas propozon Driton Ajazin

Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka kandiduar kryetarin aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci, edhe për një mandat tjetër.

Driton Ajazi ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se sot ka marrë mbështetjen nga strukturat e partisë në këtë komunë, për të qenë kandidat për kryetar të Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

“Sapo, mora mbështetjen nga strukturat e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë vitë!”, ka shkruar Ajazi në Facebook.

Kujtojmë se vetëm pak javë më parë, Lladrovci kishte thënë se do të kandidojë sërish për të parin e kësaj Komune në zgjedhjet që priten të mbahen në shtator të këtij viti.

Ai kishte thënë se nuk ka asnjë dilemë rreth rikandidimit të tij për kryetar të Drenasit.

“Nuk e di kush e ka këtë dyshim. Sigurisht që do të kandidoj sërish për kryetar të Drenasit. Partia Demokratike e Kosovës në nivel qendror në qytetin tonë e ka konfirmuar disa herë që unë do të jem kandidat për kryetar edhe një mandat”, pati deklaruar Lladrovci.

Ky është postimi i plotë i Ajazit:

Të nderuar anëtarë, struktura dhe simpatizantë të Degës së Partisë Demokraktike të Kosovës në Drenas!

Shumë të dashur qytetarë të komunës së Drenasit!

Sapo, mora mbështetjen nga strukturat e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë vitë!

E vlerësojë jashtëzakonishtë shumë besimin e dhënë nga Dega e PDK-së në Drenas, që ti prijë këtij procesi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarëve të Drenasit dhe presë mbështetjen edhe të kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës, që ta konfirmojë kandidaturën time!

Besimi i dhënë nga Dega e PDK-së në Drenas, për mua është përgjegjësi dhe privilegj dhe do të shërbejë si forcë inkurajuese, që angazhimi im politik të jetë në shërbim të qytetarëve të Drenasit!

Na priftë e mbara së bashku!

Me nderime,
Driton Ajazi