Fjalë Kyçe

Kuvendi ratifikon shtatë anëtarë të KSHC-së Me 63 vota për 9 vota kundër Kuvendi ka

Kuvendi ratifikon shtatë anëtarë të KSHC-së Me 63 vota për 9 vota kundër Kuvendi ka

Me 63 vota për 9 vota kundër Kuvendi ka ratifikuar 7 anëtarët e Këshillit Kombëtare të Cilësisë për Akreditim.

Anëtarët janë: Hasnije Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenari Nuqi, Sef Bytyqi edhe tre anëtarë ndërkombëtarë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se vendimi për ratifikimin e shtatë anëtarëve për Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, është marrë bazuar në rekomandim të Komisionit.

Sipas saj, aktualisht janë duke pritur 239 raporte që duhet të shqyrtohen nga ky këshill.

“Është e rëndësishme që të votohet kjo përbërje sepse nuk do të mund të regjistrohen studentët në vitin e ri akademik”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se anëtarët e këshillit të kaluar kanë dhënë dorëheqje në shkurt.

“Kur e kam marr detyrën e kam bërë shpalljen menjëherë. Duhet të emërojmë këshillin sepse janë 239 raporte të ekspertëve që nuk do të mund të akreditohen. Nëse nuk shqyrtohen, e nuk do të mund të shpallin konkurs institucionet për pranimin e studentëve, ky është nxitimi. Unë kam nxjerrë vendimin në bazë të rekomandimit të institucioneve përkatëse. I gjithë procesi është monitoruar nga BIRN dhe besoj që nuk ka pasur asnjë ndikim”, ka thënë ajo.

Deputeti Ardian Gola ka thënë se Komisioni për Arsim, e ka shqyrtuar vendimin e Qeverisë për Këshillin dhe ka vendosë që t’i propozojë Kuvendit për ratifikim këtë rekomandim.

“Ratifikimi i shtatë anëtarëve bëhet me mandat pesë vjeçar. Vendimi është marrë me shumicën e votave në komision. Këta kandidatë të propozuar nga qeveria janë propozuar për ratifikim me të vetmin fakt se i kanë plotësuar kriteret. Unë si Ardian Golë po flas, votën do ta jap për shkak se këshilli ka nevojë të funksionohet në mënyrë urgjente. Po bëj premtim publik që do ta kemi nën vëzhgim konstant për çdo hap që e bëjnë”, ka thënë ai.

Deputetja Vlora Dumoshi ka thënë se nuk është në rregull të aprovohet rekomandimi kur ligji për akreditim është në përfundim.

“Aplikimi i ligjit te vjetër për emërimin e përbërjes së re të këshillit, kjo nuk siguron cilësi. Kemi bërë pyetje për këtë nguti, përgjigja ka qenë se nuk ka kohë sepse duhet të aplikohet në ENQA”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në votim.

Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha ka thënë se procesi i emërimit të këtyre anëtarëve ka probleme të shumta.

Sipas saj, procesi si i tillë ka pasur problemet e veta.

“PDK-ja ka ngritur këto çështje: në bazë të emërimit që ministrja bën për komisionin që duhet t’i shqyrtojë dosjet, ne kemi vërejtje sepse personat që as nuk kanë përfunduan studimet duhet të vendosin për profesorët. Studenti vendosë për profesorin mos të themi që ai student është edhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Thuhet që Komisioni përgatit listën e ngushtë të kandidatëve, komisioni ka rekomanduar 9 anëtarë në listën e ngushtë prej të cilëve ministrja është dashur t’i zgjedhë katër anëtarë, ajo ka zgjedhur tre dhe ka marrë një person nga lista e gjerë e aplikantëve…Kur kësaj ia shtoj që edhe deputeti (Ardian) Muja është udhëheqës atëherë kuptohet se si do të ndikojë trysnia politike në të ardhmen. Çështja tjetër shqetësuese është akomodimi i anëtarëve të familjes. Akomodimi i nipave nuk besoj që u bën nder institucioneve të Kosovës”, ka thënë ajo.

Deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj ka bërë thirrje që të anulohet ky konkurs.

“Hapni një konkurs të ri ku do t’i respektoni kriteret që vet i keni vendosur. Me qëllimin më të mirë ju rekomandoj që t’i respektoni kriteret e vendosura nga MASHTI, përzgjidhni profesorë që janë mishëruar me këtë punë. Këtë nuk e keni vështirë ta bëni, kontaktoni UP-në ose hyni në ëeb të UP-së e shikoni, mos shikoni përkatësinë partiake”, ka thënë ai.