Fjalë Kyçe

Këshilli Prokurorial heq dilemat: Lumezi e ka mbështetjen tonë, nuk lejojmë ndikimet nga jashtë

Këshilli Prokurorial heq dilemat: Lumezi e ka mbështetjen tonë, nuk lejojmë ndikimet nga jashtë

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas raportimeve se anëtarët e tij me udhëzime të ministres Albulena Haxhiu, po duan ta shkarkojnë kryeprokurorin Lumezi.

Me anë të një komunikate, KPK ka thënë se Lumezi ka mbështetjen e secilit anëtar në kryerjen e detyrave të tij, shkruan lajmi.net.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes kësaj deklarate siguron opinionin publik se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbështetjen e plotë të të gjithë anëtarëve të Këshillit në ushtrimin e mandatit të tij Kushtetues dhe ligjor”, thuhet në njoftim.KPK thotë se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në vazhdimësi është vlerësuar maksimalisht për punën e tij sipas standardeve më të larta nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Andaj, çfarëdo tendence për inskenime të mundshme që kane për qëllim destabilizimin institucional, cenimin e integritetit, mandatit dhe prestigjit të Kryeprokurorit të Shtetit, do të dështojnë”, thuhet në njoftim.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ Kushtetues i pavarur dhe i paanshëm, nuk do të lejojë asnjë interferim apo çfarëdo interesi nga jashtë, përfshirë edhe dëshirat e partive politike, individëve të caktuar dhe grupeve të interesit të ndikojnë në punën dhe mandatin e bartësve të sistemit prokurorial, përkatësisht të Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në fund të komunikatës.