Fjalë Kyçe

Të martën seancë solemne për kryediplomatin italian, të enjten seanca e rregullt

Të martën seancë solemne për kryediplomatin italian, të enjten seanca e rregullt

Kryesia e Kuvendit vendosi që seanca e radhës të mbahet të enjten, më 24 qershor, me 10 pika të rendit të ditës,

Kështu, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në seancën e të enjtes Kuvendi do të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për të vijuar më pas me shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe rekomandime të tjera ky komision.

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, i bartur nga seanca e fundit.

Kryesia po ashtu vendosi që të martën, më 22 qershor 2021, Kuvendi të mbajë seancë solemne, për nder të Ministrit të Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, i cili do të mbajë një fjalë rasti.

Kryesia vendosi sot që të rishpallet konkursi publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga radhët e komuniteteve joshqiptare, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.