Fjalë Kyçe

Këta janë dy profesorët e UP-së të cilët akuzohen nga ORCA për plagjiaturë

Këta janë dy profesorët e UP-së të cilët akuzohen nga ORCA për plagjiaturë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka akuzuar, nëpërmjet një denoncimi anonim, profesorët e Universitetit të Prishtinës, Bujar Dugolli e Ardian Kastrati, se kanë bërë plagjiaturë në punimin me titullin “Diplomacy through the ages of history: theoretical analyses of the concept”, të botuar më 2017.

Dugolli dhe Kastrati janë të dy profesorë në Fakultetin Filozofik në Unversitetin e Prishtinës.

“Autorët e këtij punimi Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, kanë marrë pjesë të tekstit nga burime të ndryshme duke i përdorur në punimin e tyre dhe duke mos treguar se nga i kanë marr ato, rrjedhimisht duke i paraqitur këto pjesë sikurse janë pjesë të punës së tyre akademike. Pas raportit të Turnitin, hulumtuesit e ORCA-s i kanë filtruar vetëm pjesët e kopjuara pa fusnotë, dhe përsëri doli që një pjesë e konsiderueshme e punimit është e gjitha plagjiaturë”.

“Për më tepër, Ardian Kastrati në vitin 2020 dhe Bujar Dugolli në vitin 2018, ishin avancuar duke e përdorur punimin në fjalë. Dhe vetëm falë këtij punimi, ata kanë arritur ta plotësojnë numrin e punimeve shkencore të nevojshme për avancim në pozitat e tyre aktuale, profesor asistent Ardian
Kastrati dhe Bujar Dugolli në pozitën profesor i rregullt” thuhet në kumtesën e ORCA-s.

ORCA mes tjerash ka ftuar organet udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të iniciojnë procedurat për verifikimin e këtyre dëshmive dhe si rrjedhojë të merren masa në përputhje me Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedura Disiplinore.

“Nëse kjo nuk ndodhë, i bie që universiteti nuk ka vullnet të merret me rastet e kësaj natyre, kështu duke i bërë dëm të pariparueshëm besimit të shoqërisë kosovare, se ky institucion si të gjitha institucionet publike në Kosovë, nuk duan rregull dhe ndryshim pozitiv”.

Mes tjerash në kumtesë thuhet se ORCA është në kontakt direkt me platformën Turnitin, për blerje të programit me qasje të plotë, në mënyrë që kësaj platforme të ia nënshtrojë një sërë punimesh shkencore dhe punimet e doktoratës të figurave kryesore në jetën publike dhe në universitetet publike në Kosovë.