Fjalë Kyçe

Nga debati për rërën te krismat – si ndodhi tragjedia e Velipojës

Nga debati për rërën te krismat – si ndodhi tragjedia e Velipojës

Një konflikt verbal mes dy familjeve në Velipojë të Shkodrës, do të kthehej në tragjedi mesnatën e djeshme, duke tronditur të gjithë vendin. 4 persona, mes tyre dy vëllezër dhe një i ri vetëm 20 vjeç, u vranë nga breshëria e plumbave.

Pikënisja e gjithçka ka qenë një sherr për disa shezlongë në plazhin e Velipojës.

Nga kjo ngjarje kanë humbur jetën: Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myzerim Zeneli.

Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmedin Tyli. Ky i fundit vetëm 17 vjeç. I gjithë konflikti ka nisur teksa dy familjet Gocaj pronarë të hotel “Gocaj” dhe Ferracaku, që zotërojnë hotel “Fantazia”, po ndanin rërën për të vendosur çadrat e e plazhit. Të dy hotelet ndodhen nga njëri-tjetri në një distancë prej 50 metra.

Gjithçka nisi si një konflikt verbal, më pas palët nxorën armët dhe i morën jetën njëri-tjetrit. Mes viktimave është edhe Myzerim Zeneli, punonjës i shezlongëve dhe kamarier te hoteli i vëllezërve Gocaj, vetëm 20 vjeç.

Xhovani Gocaj, 25-vjeçari që u vra

Mendohet se në vendin e ngjarjes është shtënë nga disa armë, ndërsa FNSH dhe RENEA-t po krehin zonën duke kërkuar të përfshirët e tjerë në konflikt. Deri më tani janë sekuestruar kamerat e sigurisë të të dy hoteleve për të krijuar një panoramë më të qartë të ngjarjes së rëndë.

Dinamika e krimit të rëndë hap pas hapi

Ferracaku shkoi të sqaronte sherrin te hoteli “Gocaj”

Kujtim Ferracaku i shoqëruar nga vëllai i tij, Hasan Ferracaku dhe nga disa persona të tjerë, shkuan të sqaronin sherrin për rërën te pronarët e hotelit Gocaj, Xhovani dhe Edmond Gocaj. Mes dy familjeve kishte pasur më herët debate dhe përplasje verbale për vendosjen e çadrave të plazhit, në hapësirën përpara hotelit. Të dy familjet pretendonin pronësinë e rërës dhe akuzonin njëri-tjetrin se kishin zënë hapësirën. Edhe dje pasdite mes dy familjeve ka patur fërkime, ndërsa nuk kanë munguar edhe konfrontimet fizike. Por më e keqja nuk kishte ardhur ende. Në vend të fjalëve dhe sqarimit për çështjen që kishte sjellë konfliktin, palët nxjerrin armët dhe shkrehin karikatorët drejt njëri-tjetrit, duke sjellë atë që tashmë njihet si tragjedia e Velipojës.