Elbasan Karaqica dhe Getoar Hykolli nuk kanë pranuar akuzën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, që i ngarkon ata me veprën penale të vjedhjes së rëndë.
Në seancën fillestare të mbajtur të martën, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Luljeta Bilalli, dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.Në këto rrethana, gjykatësi Shabi Idrizi i ka njoftuar të njëjtit lidhur me të drejtën e tyre për kundërshtim të provave dhe parashtrim të kërkesës për hudhje të aktakuzës, brenda afatit të paraparë ligjor.
Ndryshe, përveç prokurores dhe të akuzuarve, prezent në sallë të gjykimit ishin edhe mbrojtësit e këtyre të fundit, avokatët Asdren Hoxha dhe Labinot Vata.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 2 dhjetor 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Elbasan Karaqica dhe Getoar Hykolli po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë” nga neni 327, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1. lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se më 16 korrik 2018, rreth orës 16:30, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, saktësisht në parkingun e mobilierisë “Pallma”, dy të akuzuarit në bashkëkryerje dhe me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme, e që vetit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, i kishin shkaktuar dëm të dëmtuarit Halit Haliti.
Aty thuhet se një gjë të tillë e kanë bërë në atë mënyrë që i kishin thyer xhamin e derës së pasme të anës së djathtë të veturës “Audi S6” dhe i kishin marrë 2,900 euro para të gatshme, të cilat thuhet se kishin qenë në mbajtësen në mes vozitësit dhe pasagjerit.
Më pas thuhet se të akuzuarit janë larguar në drejtim të Prishtinës.