Fjalë Kyçe

Kurti takohet me Rikerin dhe Palmerin në kuadër të Forumit të Prespës

Kurti takohet me Rikerin dhe Palmerin në kuadër të Forumit të Prespës

Në margjina të konferencës dy ditore ndërkombëtare “Forumi i Prespës për Dialog”, në Ohër të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, krahas pjesëmarrjes në diskutim në panel, ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të rajonit, dhe përfaqësues të lartë nga Evropa dhe ShBA-të.

Kryeministri Kurti dha një propozim se si rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të avancojë drejt Bashkimit Evropian, përmes një marrëveshje dhe marrëdhënie të re, të tillë çfarë e kanë Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Ballafaqimi me të kaluarën është i rëndësishëm për paqen dhe pajtimin në Ballkan, deklaroi ai në një konferencë për media.

Gjatë ditës, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Kryeministri Kurti u takua me Ndihmëssekretarin e shtetit të ShBA-së për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

“Kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla janë takuar edhe me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak me të cilin kanë diskutuar për takimin e 15 qershorit në Bruksel dhe nisjen e procesit të ri të dialogut”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Po ashtu, kryeministri Kurti pati takim të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti si dhe nënkryetare e BDI-së, Teuta Arifi.

Takime të ndara, pati edhe me eurodeputeten sllovene, Tanja Fajon, ish-eurodeputetin gjerman nga Partia Socialdemokrate, Knut Feckeinstein si dhe profesorin e Universitetit “John Hopkins”, Eduard Joseph.