Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, ka thënë se rasti “Kleçka” sipas tij, nuk do të duhej të shkonte asnjëherë në gjykim.
Simmons tha se në këtë rast kishte “dëshmi jo të plota” dhe hetimi për të ka kushtuar miliona euro.
Ai shtoi se nuk ka dyshim që të burgosurit serbë dhe ata shqiptar janë vrarë në Kleçkë, por sipas tij nuk ka prova.
“Rasti “Kleçka” ka qenë një rast që asnjëherë nuk është dashur të shkojë në gjykim”, tha Simmons, njofton Klankosova.tv.
Ai përmes një video-lidhjeje është duke raportuar para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me pretendimet për skandalet e EULEX-it në Kosovë, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet tek dëshmitarët.
Malcolm Simmons, ish-kryetar i gjykatësve në EULEX pati dhënë dorëheqje nga ky institucion, duke akuzuar këtë mision dhe BE-në për korrupsion.
Simmons pati deklaruar se EULEX-i dëshironte ta rrëzonte një pjesë të klasës politike kosovare.