Fjalë Kyçe

Bahtiri i shqetësuar me situatën e sigurisë në Mitrovicë, mbledh drejtorët komunalë

Bahtiri i shqetësuar me situatën e sigurisë në Mitrovicë, mbledh drejtorët komunalë

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka mbledhur sot Bordin e Drejtorëve të Komunës, ku një nga shqetësimet kryesore ka qenë situata e sigurisë.

Fillimisht në këtë mbledhje Bahtiri ka ngritur si shqetësim gjendjen aktuale të sigurisë në Mitrovicë, pas rasteve të fundit të përleshjes mes të rinjve, dhe vrasjes së një qytetari të Mitrovicës.

Lidhur me këtë, kreu i Komunës tha se menjëherë ka kontaktuar Drejtorinë Rajonale të Policisë në Stacionin Jugor si dhe nivelin qendror, ku janë pajtuar që këto ditë të mbajnë takime të përbashkëta për të marrë hapa konkret në këtë drejtim.

“Këto raste po ndodhin tash kur në Mitrovicë siguria dhe rendi e qetësia kishin marrë të mbarën dhe kur krimet kanë shënuar rënie drastike, duke bërë që qyteti të jetë një nga më të qetët në vend”, tha Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës thotë se pavarësisht këtyre rasteve, në bashkëpunim me Policinë nuk do të lejojnë të ketë pasiguri në Mitrovicë dhe grupe të njerëzve që prishin rendin dhe qetësinë publike.