Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet edhe për helmimin e mbi 1 mijë e 500 qytetarëve të Deçanit, ka thënë se sistemi i ujësjellësit në Kosovë lehtë mund të krijoj situata të tilla edhe në të ardhmen, raporton Gazeta Express.
Ai është shprehur se ka raste kur uji i pijes drejtpërdrejtë dërgohet te qytetarët dhe në të ardhmen, kjo gjë duhet të inspektohet më shumë.
“Sistemi i ujësjellësit në vendin tonë, lehtë ky sistem me një vërshim të ujit mund të krijoj situata të tilla edhe në të ardhmen. Mënyra se si trajtohet uji i pijes pa ndonjë plan, ku drejtpërdrejt dërgohet te qytetaret është e gabueshme”, ka deklaruar ai.
Aliu ka thënë tutje se as sistemi KRU “Hidrodrini” nuk është i mbrojtur.
Sipas tij, pusetat janë të qasshme dhe i gjithë sistemi paraqet brishtësi sa i përket sigurisë.
“Ne kemi dërguar menjëherë inspektoratin për të shikuar gjendjen e sistemit të ujësjellësit. Nga ajo që është parë në teren, del një nevojë emergjente për vendin tonë që gjithë sistemi i ujësjellësit të inspektohet dhe të merren masa, pasi mund të konkludojmë se sistemi KRU Hidrodrini, nuk është i mbrojtur. Pusetat janë të qasshme, rezervuari mund të jetë lehtë i qasshëm. Në mënyrën se si është bërë klorizimi i ujit, është bërë në mënyrë manuale. I gjithë sistemi paraqet një brishtësi të madhe sa i përket sistemit të sigurisë”, ka shtuar ai.