Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë pritur në takim nga Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Drejtori i Hidrodrinit, Agron Tigani me qëllim të diskutimit lidhur me situatën e rënduar pas shpalljes së gjendjes së emergjencës së jashtëzakonshme nga Komuna e Deçanit.
Në këtë takim, dy ministrat u njoftuan nga kryetari Ramosaj për sfidat me përballjen e helmimit të qytetarëve të Deçanit duke theksuar se ka rënë numri i pacientëve me simptomat e helmimit si dhe gjendja po shkon drejt normalizimit.
“Ministri z. Vitia, e falënderoi kryetarin e Deçanit për bashkëpunimin korrekt duke i ofruar ndihmë dhe mbështetje të plotë nga Ministria e Shëndetësisë për të kaluar këtë sfidë sa më shpejt dhe sa më mirë. Ministri z. Krasniqi, ka ofruar mbështetjen e plotë për Komunën e Deçanit duke përmendur vendimin e fundit të qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare nga MAPL në vlerë prej 150,000.00 euro për financimin e projektit për trajtimin dhe rregullimin e sistemit të ujësjellësit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
I pari i Komunës së Deçanit, ka falenderuar të dy ministrat dhe qeverinë për ofrimin e ndihmës për Komunën dhe qytetarët e Deçanit, duke theksuar se Komuna e Deçanit është në vazhdimësi duke e mbikëqyrur situatën dhe duke ju ofruar qytetarëve ndihmën e nevojshme.
“Gjatë kësaj vizite, të dy Ministrat kanë vizituar gjithashtu qendrën e vaksinimit në Deçan dhe Pejë për ti shprehur mirënjohje ekipeve të vaksinimit për angazhimin e çmuar dhe vetëmohimin në këtë proces të rëndësishëm për shëndetin publik”, njofton MSH.