Prokruroia Themelore në Pejë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj tre zyrtarëve në Komunën e Istogut të cilët u arrestuan më 15 korrik 2021, pas një aksioni të Policisë së Kosovës.
Prokuroria e Pejës ka njoftuar se masa e arrestit shtëpiak është caktuar ndaj J.B, RR.G dhe R.B për shkak të dyshimit për vepër penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar , ndërsa E.B është liruar që të mbrohet në liri.
“Të pandehurit J.B, RR.G dhe R.B, me datat 16.10.2020, 28.09.2020 e gjerë me datën 04.11.2020 si dhe me datë 14.12.2020 në objektin e K.I, duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri J në cilësinë e drejtorit për Planifikim Urban dhe Mjedis, ndërsa të pandehurit RR dhe R, në cilësi te zyrtarëve pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërtim si dhe Planin Zhvillimor Komunal lëshojnë lejen ndërtimore për ndërtim, në atë mënyrë që të pandehurit duke qenë në dijeni se ngastra kadastrale për të cilën është parashtruar kërkesa për dhënien e lejes ndërtimore nga investitorët ndodhen në bllokun ku sipas planit zhvillimor është paraparë ndërtimi me etazhitet të caktuar, me rastin e lëshimit te lejes ndërtimore konstatojnë se kinse ngastrat kadastrale ndodhen në bllokun tjetër dhe me këtë veprim investitorëve i’u lejojnë ndërtimin me etazhitet më të lartë dhe i’a mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Pejës.
Në njoftimin thuhet se ata në bashkëveprim kanë kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.