Fjalë Kyçe

Shtyhet gjykimi kundër Milaim Zekës

Shtyhet gjykimi kundër Milaim Zekës

Mungesa e të akuzuarit Edmond Kërliut ka bërë që të dështoj gjykimi për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash ndaj tij, ish-deputetit Milaim Zeka si dhe Ilir Krasniqit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kërliu, avokati Kujtim Kërveshi deklaroi se asnjëri prej tyre nuk kishin pranuar ftesë për seancë.

Avokati Kërveshi shtoi se në gjykim ka prezantuar pasi që sekretarja juridike e trupit gjykues e kishte njoftuar përmes telefonit.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar për 16 dhe 17 shtator 2021, në ora 09:30.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish-deputetit Milaim Zeka, Edomond Kërliut dhe Ilir Krasniqit lidhur me hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.

Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.

Të pafajshëm ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu kanë kryer disa vepra penale.

Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka Op”, si agjenci punësimi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa Rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat e tyre në lagjen “Pejton” të Prishtinës.

Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Ilir Krasniqi, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.