Deputeti Ramiz Kelmendi ka folur për zgjedhjet e brendshme në LDK. Përmes një shkrimi në Facebook, Kelmendi ka thënë se LDK duhet të tregojë pjekurinë politike për të ardhmen e vendit.
“Jemi dëshmitarë se zgjedhjet në LDK kanë një traditë të ballafaqimit të ideve demokratike në të gjitha proceset e zgjedhjes së organeve drejtuese, qoftë për kryetar, kryesi, delegat të kuvendit, degë, nëndegë dhe forume tjera. Andaj, përkushtimi i garuesve me siguri është që LDK-në ta bëjë edhe më demokratike, edhe më shumë qeverisëse, kjo në mënyrë që LDK të tregoj pjekurinë politike për të ardhmen e vendit”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi ka folur për ndërhyrjen policore në një degë të LDK-së, në Vranjevc, pas përleshjeve mes vete.
“Në kuvendet zgjedhore të degëve dhe nëndegëve vërejmë prezencën e organeve të rendit, për të qenë të ‘gatshëm’ për intervenim eventual nga gara, llafosjet fjalësh dhe dukuri tjera të mundshme. Duke parë këtë trend ‘del’ se në Kuvendin zgjedhor organet e rendit është e mundshme të vijnë me armë më të sofistikuara për tu kujdesur për LDK-në”, ka thënë ai.
Më tej Kelmendi ka thënë se organet e rendit duhet të jenë në nivelin e kontributit profesional dhe këso prezenca t’i kenë edhe në kuvendet zgjedhore në vazhdimësi.
“LDK është parti demokratike, është subjekt që fuqizon debatin demokratik të garuesve, është mekanizëm shtet-formues që ka treguar dhe dëshmuar se respekton dhe i nënshtrohet ligjeve në fuqi.
Si e tillë, LDK ka treguar se vetëm duke respektuar ligjet, shteti dhe qytetarët e tij do jenë të lirë për të folur, vepruar dhe punuar! Në këtë frymë edhe më mbetet të besoi se, vetëm ligji është rregullimi themelor i këtyre parimeve, ndërsa pushtetarët janë ata që duhet mbikëqyrë zbatimin e tyre”, ka shkruari ai në fund.