Banorët e Lagjes Tuneli i Parë në Mitrovicë, janë ankuar për Klan Kosovën se tash e disa muaj po përballen me shpërthimin e kanalizimit para ambienteve të tyre ku jetojnë.
Disa nga banorët kanë thënë se kanë frikë se nga rrjedha e këtij kanalizimi mund të marrin edhe ndonjë sëmundje epidemike. Po ashtu, sipas tyre, edhe pas reshjeve të shiut rritet rreziku që ujërat e zeza nga ky kanalizim të përfshijnë edhe katet e para të banimit.
Kryetari i Lagjes Tuneli i Parë, Hakif Beqiri ka thënë se ka kërkuar nga institucionet gjegjëse që të vijnë dhe ta rregullojnë problemin, mirëpo ata janë arsyetuar se kanë mungesë të punëtorëve.
Ndërkaq, të njëjtën gjë për televizionin e ka pohuar dhe Bedri Rama, Menaxher i Njësisë Operative për Rrjetin e Ujit dhe Kanalizimit në Mitrovicë, duke kërkuar që vullnetarë nga kjo lagje ta ndihmojnë ekipin e tij në evitimin e këtij problem.
Ndërsa, sipas Ramajt të tilla probleme me kanalizime po shfaqen si pasojë e vjedhjes së kapakëve nga persona të pandërgjegjshëm.