Një zyrtar i gjendjes civile të Kuvendit Komunal të Pejës është arrestuar sot nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Bëhet fjalë për të dyshuarin H.G. viti i lindjes 1958.
Sipas njoftimit DHKEK-u ka siguruar dëshmi se i dyshuari i lartcekur, e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile një shtetas të huaj duke mos i përfillur procedurat ligjore të regjistrimit fillestar të një personi në sistemin elektronik të gjendjes civile.
“I dyshuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e vërtetuar, regjistruar dokumentin me të dhëna të rreme. Personi i huaj, ishte regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile në KK Pejë në mënyrë të kundërligjshme, kinse është shtetas i Republikës së Kosovës, me këtë rast ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet identifikuese (pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer). I dyshuari H.G. është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës me aktvendim të prokurorit të shtetit dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.