Fjalë Kyçe

Kurti takon disa nga kryetarët e komunave: Masat duhet të zbatohen me përpikëri

Kurti takon disa nga kryetarët e komunave: Masat duhet të zbatohen me përpikëri

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë mbajtur takim me disa nga kryetarët e komunave të Kosovës, për të diskutuar rreth situatës me COVID-19.

Kryeministri tha se masat kundër virusit COVID-19, të ndërmarra së fundmi nga qeveria janë të domosdoshme, por për të qenë të mjaftueshme në arritjen e qëllimit, ato duhet të zbatohen në përpikëri.

“Varianti Delta karakterizohet me një numër riprodhues jashtëzakonisht të lartë, sipas së cilit çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë, ka interval serial jashtëzakonisht të shkurtër me ç’rast çdo person i infektuar mund të infektojë të tjerët mesatarisht 2.5 ditë pasi që është infektuar vetë dhe përhapet kryesisht nëpërmjet ngjarjeve super-shpërndarëse”, ka thënë Kurti, thuhet në kumtesë.

“Nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe komunave, sidomos në mes të Policisë, inspektorëve komunalë dhe inspektorëve të AUV-it”, është shprehur ai.

Në takim ishin të pranishëm kryetarët e 12 komunave të Kosovës, të cilët njoftuan për vështirësitë teknike që kanë në komunat e tyre në përballje me pandeminë.

Në anën tjetër këtë të martë Asociacioni i Komunave të Kosovës u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave që të mos shkojnë në takimin e thirrur nga Kryeministri Kurti.