Një grua shtatzënë ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e infektimit me COVID-19. Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar për Express doktoresha e mjekimit intensiv, Agreta Gecaj-Gashi, e cila ka deklaruar se 29-vjeçarja ka vdekur të hënën.
Ajo ka deklaruar se viktima nuk ka qenë e vaksinuar. “Pardje ka vdekur, nuk ka qenë e vaksinuar. Viktima ka qenë e lindur në vitin 1991”, ka deklaruar Gecaj Gashi.
Ajo ka deklaruar se edhe katër gra shtatzëna që po trajtohen në mjekimin intensiv janë në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e infektimit me COVID-19.
Ndërkaq drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli, ka treguar për Express se viktima ka qenë në javët e para të shtatzënisë.“Pacientja ka ardhur nga Gjilani, ka qëndruar një kohë të shkurtë në Gjinekologji, pastaj në konsultim me mjekët tjerë është transferuar në mjekim intensive qendror. Ka qenë shtatzëni e hershme, në javën e 6-të”, ka deklaruar Ismajli.