Fjalë Kyçe

Shqipëria nis përgatitjet për Hungarinë, Bajrami gati për debutim

Shqipëria nis përgatitjet për Hungarinë, Bajrami gati për debutim

Përfaqësuesja e Shqipërisë të premten ka zhvilluar stërvitjen e parë pas kthimit nga Varshava, ku të enjten mbrëma pësoi humbje të thellë nga Polonia (4:1) në ndeshjen e Grupit I të eliminatoreve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Në këtë stërvitje, që ishte e para në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen me Hungarinë, përzgjedhësi Edoardo Reja kishte në dispozicion të gjithë lojtarët, përfshirë edhe mesfushorin e Empolit, Nedim Bajrami. Bajrami pritet të debutojë me fanellën e Shqipërisë në duelin ndaj Hungarisë. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën prej orës 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Bajramit ditë më parë i është dhënë e drejta për të luajtur për Shqipërinë, pas ankesës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), pasi FIFA fillimisht nuk kishte lejuar një gjë të tillë për shkak të aktivizimit të tij me Përfaqësuesen U21 të Zvicrës. Bajrami përmes një postimi ka thënë se është shumë i lumtur që do të jetë pjesë e Shqipërisë dhe me padurim pret të luajë.

“Përshëndetje nga unë, Nedim Bajrami! Jam shumë i lumtur që më në fund jam pjesë e kombëtares shqiptare. Shpresoj që të marrim rezultate pozitive dhe ju pres në stadium”, tha Bajrami.

Bajrami shihet si përforcim i rëndësishëm për mesfushën e Shqipërisë dhe këtë e ka pranuar në fillim të kësaj jave edhe përzgjedhësi Reja. Tekniku italian ka theksuar se mesfushori i ekipit nga Serie A, Empoli, do t’i ndihmojë shumë “kuqezinjtë”. Sipas mediumeve në Tiranë, Bajrami pritet që të jetë titullar te Shqipëria ndaj Hungarisë.

“Për rreth 1 orë lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Polonisë kanë zhvilluar stërvitje të veçuar, ndërsa pjesa tjetër ka zhvilluar stërvitje me intensitet të plotë. I pranishëm në këtë seancë ka qenë edhe Nedim Bajrami, i cili pasi mori dritën jeshile nga CAS-i për të luajtur me Shqipërinë, është bashkuar me kuqezinjtë dhe do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e radhës ndaj Hungarisë dhe San Marinos”, thuhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Tekniku Reja në këtë stërvitje u përqendrua kryesisht në ushtrime të lehta fizike për shkak të lodhjes së lojtarëve nga sfida me Poloninë. Disfata e thellë në Varshavë ka lënë shije të hidhur në kampin kuqezi, duke paralajmëruar se pritet reagimi qysh në ndeshjen e ardhshme. Ndaj Hungarisë, Reja nuk do t’i ketë në dispozicion tre lojtarë – Elseid Hysaj, Rey Manaj, Keidi Bare – që janë të suspenduar për këtë ndeshje për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve.

Humbja nga Polonia ishte e dyta për Shqipërinë në katër ndeshje të luajtura në këtë cikël eliminator të Botërorit të vitit të ardhshëm. Aktualisht Shqipëria është e katërta në grup me gjashtë pikë, një më pak se Polonia e Hungaria që janë në vendin e dytë, përkatësisht të tretë. Grupit i prin Anglia me 12 pikë të mbledhura. Pas duelit me Hungarinë, Shqipëria do të luajë në shtëpi edhe kundër San Marinos, që nuk e ka asnjë pikë, më 8 shtator.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy futbollistët, Enest Muçi dhe Mario Mitaj, pas stërvitjes me ekipin A kanë udhëtuar drejt Elbasanit për t’u bashkuar me Përfaqësuesen U21, për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Alban Bushi për ndeshjen kualifikuese të Evropianit kundër Çekisë.