Fjalë Kyçe

Mikrobiologu Lul Raka tregon pse duhet të merret doza e tretë e vaksinës anti-Covid

Mikrobiologu Lul Raka tregon pse duhet të merret doza e tretë e vaksinës anti-Covid

Mikrobiologu Lul Raka, ka folur për dozën e tretë të vaskinës anti-COVID.

Në një shkrim në Facebook, Raka ka treguar se kjo vaksinë po jepet pasi që disa persona nuk grumbullojnë numrin e duhur të anti-trupave andaj kjo dozë ua forcon imunitetin atyre.

“Çka është doza përforcuese (“booster”) dhe çka është doza e tretë? Dozat përforcuese u jepen personave të shëndoshë, të cilët e kanë përfunduar serinë primare të vaksinimit dhe kanë zhvilluar përgjigje të mirë imunitare. Ky imunitet mund të ulet me kalimin e kohës, prandaj doza përforcuese jepet për ta “përforcuar” imunitetin”, shkroi ai.

“Doza e tretë (ose doza shtesë) u jepet personave me sistem imunitar të kompromituar apo të dobësuar rëndë, pasi që ata nuk arrijnë të krijojnë nivel adekuat të mbrojtjes me vaksinimin standard. Sistemi imunitar i tyre mund të kompromitohet për shkak të sëmundjes shoqëruese ose terapisë mjekësore”, tha Raka.

PËR DHE KUNDËR VAKSINIMIT SHTESË

“Pyetja kryesore lidhur me kohëzgjatjen e imunitetit pas vaksinimit kundër Covid ende nuk ka përgjigje përfundimtare. Por, disa të dhëna të fundit shkencore të nxjerra nga vendet që kanë programe të avancuara të vaksinimit, dëshmojnë se mbrojtja kundër infeksionit SARS-CoV-2 fillon të ulet me kalimin e kohës pas dozave fillestare të vaksinimit, veçanërisht tek personat me rrezik më të lartë ose tek ata që janë vaksinuar në fillim. Prandaj, sipas këtyre rezultateve do të nevojitet një dozë përforcuese e vaksinës për të rritur në maksimum mbrojtjen vaksinale dhe për të zgjatur qëndrueshmërinë e veprimit të saj.
Në anën tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe disa ekspertë të tjerë, përfshirë disa nga Universiteti i Oksfordit theksojnë se sot në nivelin global, prioritet absolut është vaksinimi primar dhe mbështetja e imunizimit për vendet e pazhvilluara e jo dozat shtesë të vaksinës. Nga mesatarisht 35 milionë doza ditore të vaksinave kundër Covid-19 që jepen sot në botë, vetëm 1.5% jepen në vendet e pazhvilluara.
Nuk ka ende një konsensus midis shkencëtarëve për nevojën e zbatimit të dozave përforcuese apo të treta të vaksinave, por me rritjen e frikës nga valët pasuese pandemike dhe nga bllokadat e tjera, të cilat janë po ashtu të kushtueshme, një numër i shteteve tashmë kanë filluar t’u japin shtetasve të tyre dozat përforcuese ose të treta të vaksinës”, shkroi Raka.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njoftoi më 12 shtator se janë regjistruar 23 raste të vdekjes dhe 424 raste të reja me coronavirus.

Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, Kosova ka regjistruar 237 raste të vdekjes nga sëmundja COVID-19

Sa i përket fushatës së vaksinimit, MSH-ja njofton se gjatë 24 orëve janë administruar 18,214 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë 357,197 persona kanë marrë dy dozat e vaksinës, ndërkaq 676,755 persona janë imunizuar me një dozë.

Për të lexuar më hollësisht sqarimet e Rakës, mund të hyni në profilin e tij mëposhtë.