Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që ndodhën në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, ku me vendimin e Kosovës është vendosur reciprocitet me Serbinë në çështjen e targave të automjeteve.
Haradinaj-Stublla përmes një postimi në Facebook ka thënë se duhet të ndërtohet një ekip uniteti që të përballet me Serbinë, e që sipas saj çdo skenar tjetër e dobëson Kosovën.
“Tani përballë viktimizimit të rrejshëm të Serbisë dhe trysnisë eventuale të QUINT-it, i gjithë spektri politik bashkë me shoqërinë civile do të duhej të mbajnë anën e Kosovës. Ndërkohë, të ndërtohet ekip uniteti për përballje finale me Serbinë. Çdo skenar tjetër e dobëson Kosovën”, shkroi Haradinaj-Stublla.
Ndryshe, mëngjesin e djeshëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosvës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje. Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës kanë shkuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës.