Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit’.
Sipas njoftimit të PK-së, hetuesit policorë pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operacionale ka arritur të arrestojë personat e dyshuar të cilët në bashkëveprim me njëri-tjetrin, dyshohet se përmes kartelave bankare të klonuara kanë blerë online telefona mobil.
“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri tjetrin përmes kartelave bankare të klonuara kanë blerë online mallra të ndryshme (telefona mobil). Dëmi i shkaktuar nga këto blerje është mbi 10000 (dhjetëmijë) euro”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton lajmi.net.
Policia ka bërë të ditur se kanë kontrolluar një lokacion dhe në cilësinë e provave kanë sekuestruar katër telefona mobil dhe dokumentacionin përkatës që dëshmon blerjen e telefonave mobil.
Njoftimi i plotë:
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, gjegjësisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operacionale ka arrestuar tre persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit’.
Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri tjetrin përmes kartelave bankare të klonuara kanë blerë online mallra të ndryshme (telefona mobil). Dëmi i shkaktuar nga këto blerje është mbi 10000 (dhjetëmijë) euro.
Hetuesit policorë kanë kontrolluar një lokacion dhe në cilësinë e provave kanë sekuestruar:
– katër telefona mobil dhe
– dokumentacion relevant që dëshmon blerjen e tyre.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit B.M., viti i lindjes 1998, mashkull kosovar dhe V.H., viti i lindjes 2000, mashkull kosovar dërgohen në mbajtje prej 48 orëve, kurse i dyshuari Rr.M., viti i lindjes 2004, mashkull kosovar lirohet në procedurë të rregullt.