Espanyoli e ka mundur 2:1 Real Madridin, duke ia shkaktuar humbjen e parë në La Liga dhe të dytën radhazi në të gjitha garat të dielën.
Raul de Tomas dhe Aleix Vidal shënuan nga një herë për t’ia siguruar Espanyolit vetëm fitoren e dytë këtë sezon në ligë, ndërkohë që goli i mrekullueshëm i Karim Benzemas shërbeu vetëm si ngushëllim për Realin në RCDE Stadium, raporton Gazeta Express.
Kjo është ndeshja e tretë radhazi pa fitore për skuadrën e Carlo Ancelottit dhe vjen menjëherë pas humbjes turpëruese kundër Sheriffit në Ligën e Kampionëve në mesjavë.
Me gjithë humbjen, Real Madridi mbetet lider i La Ligës me 17 pikë, aq sa ka edhe rivali i qytetit Atletico Madrid në vendin e dytë. Espanyoli në vendin e 12-të me nëntë pikë.
Vendasit kaluan në epërsi herët në takim, kur De Tomas e futi topin në rrjetë nga afërsia pas një superaksioni në minutën e 17-të.
Vidal, ish-mbrojtësi anësor i Barcelonës, e dyfishoi epërsinë për Espanyolin, duke shënuar gol të veçantë individual, pasi e kaloi Nachon mes këmbëve në proces, kru akrepat shënonin një orë lojë.
Vetëm katër minuta më vonë, Sergi Darder dështoi ta trefishonte epersinë i vetëm përballë portierit Thibaut Courtois, pasi goditja e tij shkoi jashtë portës.
Courtios e shpëtoi Realin nga një tjetër gol kur e priti goditjen e De Tomasit në minutën e 70-të.
Benzema e ktheu Realin në lojë kur e kaloi pothuajse tërë mbrojtjen vendase për ta mposhtur portierin me një goditje të bukur nga vija e zonës në minutën e 72-të.
Madridi i pate mundësitë e veta për të barazuar dhe e barazoi një herë rezultatin, por goli i Eden Hazard u anulua për pozitë jashtë loje.
Espanyoli ia doli të mbahej deri në fund dhe e arriti fitoren e dytë në ligë në shtatë ndeshje. /Gazeta Express/