Nuhi Mavroqani është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e gruas së tij me shufër metalike.
Kjo është bërë e ditur nga Gjykata Themelore e Gjilanit.
“Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, në përbërje të kryetarit, Sabedin Mushica dhe anëtarëve Agim Ademi dhe Naser Maliqi, pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shtjellimit të provave, ka shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite burgim”, thuhet në njoftim.
Sipas Gjykatës, Mavroqani me datë 25.07.2020 rreth orës 12:00 minuta, në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare më parë dhe në ditën kritike, më dashje e ka privuar nga jeta anëtaren e familjes, bashkëshorten e tij tani të ndjerën S. M., në atë mënyrë që fillimisht janë fjalosur e më pas i pandehuri ka marr një shufër metalike – mjet të përshtatëm me gjatësi 73 cm, e godet fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe më pas njëherë në anën e majtë të kokës e cila rrëzohet në dysheme, më pas i pandehuri vazhdon të godas me shufër metalike disa herë, duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, të cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse për viktimën.
Ndryshe, Mavroqani ishte dënuar më herët me burgim të përjetshëm, por rasti më pas ishte kthyer në rivendosje.