Fjalë Kyçe

Dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shqipërisë

Dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shqipërisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu është dorëhequr nga detyra.  Ardiu Veliu mori këtë detyrë të rëndësishme në 5 shkurt të 2018, pas shkarkimit të Haki Çakos si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Kryeministri i vendit, Edi Rama publikoi letrën e dorëheqjes së Ardi Veliut, ndërsa e falënderoi për kontributin e dhënë gjatë kohës, që ishte në drejtimin e Policisë së Shtetit. Ai shkroi në “Twitter” se Veliu ka shumë për t’i dhënë vendit në detyra të tjera.

“Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falënderoj nga zemra për kontributin e vyer”, shkruan Rama.

Në letrën e dorëheqjes, dërguar kryeministrit Rama, z. Veliu thotë se këtë vendim e ka marrë për t’iu përkushtuar më shumë familjes së tij.

Ai shkruan më tej se: “jam përpjekur të jap më të mirën time dhe të forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse kundër trafiqeve të drogës, krimit të organizuar dhe atij në rrugë”./euronews.al