Vendimi i kompanisë “Ferronikeli” për ndërprerjen e përkohshme të prodhimit i prekë më shumë se dy mijë familjes, sipas vetë kompanisë.
Të premten kjo kompani vendosi të ndërpresë përkohësisht prodhimin. Nga “Ferronikeli” thonë se katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e vendimit që do të zgjasë deri kur çmimet të normalizohen.
Tashmë janë vënë kontaktet edhe me Qeverinë e Kosovës për të gjetur një zgjidhje.
Zëdhënësi i kësaj kompanie, Shpend Gugaqi, e ka cilësuar vendimin si opsioni i vetëm i mbetur pas tentimit “të gjitha rrugëve të mundshme”.
“Vendimi i sotshëm i ‘Ferronikelit’ për ndërtimin e përkohshëm të prodhimit është shumë i dhimbshëm edhe për ndërmarrjen, por gjithashtu edhe për punëtorët, janë 900 punëtorë që preken nga kjo krizë, nga ky vendim dhe janë rreth 1500 të tjerë që janë furnitorë ose kontraktorë nga kompanitë të ndryshme nga ‘Ferronikeli’. Vendimi vjen si detyrim pa alternativë për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane”, deklaroi Gudaqi.
Gudaqi deklaroi se për situatën e rëndë janë informuar rregullisht dhe është kërkuar ndihma edhe te institucionet qeverisëse të Kosovës, me të cilët vijojnë kontaktet për të gjetur rrugëdalje dhe tejkalimin e kësaj situate të jashtëzakonshme.
Kompania është zotuar se do të paguajë në muajin e ardhshëm të gjithë punonjësit që janë në pushim të detyrueshëm me 50 për qind të pagës së tyre mujore, edhe pse janë të liruar nga obligimet e punës.
Po ashtu, zëdhënësi theksoi se pronarët e “Ferronikelit” janë në proces të investimeve mbi 7 milionë euro, pasi paraprakisht kanë investuar mbi 18 milionë të tjera./KosovaPress