Fjalë Kyçe

Gashi thotë që ZRRE-ja duhet të gjejë formën që t’i kompensojë qytetarët që paguan rrymën në veri

Gashi thotë që ZRRE-ja duhet të gjejë formën që t’i kompensojë qytetarët që paguan rrymën në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka anuluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për pagimin e rrymës të katër komunave veriore në periudhën 2012-2017, pas ankesës së Avokatit të Popullit.

Suzana Gashi, drejtoreshë e Departamentit për Çështje Juridike, ka thënë që një vendim i tillë shkel disa të drejta të cilat janë të paraqitura në raportin e Avokatit të Popullit.

Gashi në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që në vitin 2017 – Avokati i popullit kishte hapur hetime se rryma e shpenzuar në veri u faturohet qytetarëve të pjesës së tjetër të vendit.

“Ky është raport i Avokatit të Popullit dhe nuk është detyrimisht i obligueshëm. Meqenëse ZRRE-ja nuk e kishte respektuar atëherë ne kemi ngritur padi. Ka qenë shumë sfiduese edhe gjatë gjykimit, sepse ne nuk e kemi ditur se sa është fatura. Pastaj kemi parë që janë mbi 40 milionë euro prej vitit 2012 deri në vitin 2017 kur është ndalë ky faturim. Tash ZRRE-ja e ka për obligim miratimin e tarifave dhe ai është organi që më së miri do të dijë se si t’i kompensojë këto sepse ne nuk jemi në gjendje me e dit qysh jon faturu që tash me e dit qysh mi kompensu”, ka thënë ajo.

“Meqë ZRRE-ja nuk i kishte përfillur rekomandimet e Avoktait të Popullit atëherë ai ka të drejtë me ngrit padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ky është një proces gjyqësor prej 2017 kur kanë filluar hetimet e deri më sot ne e kemi marrë një vendim mendojmë drejtë prej Gjykatës Themelore dhe ne kemi kërkuar kompensimin e qytetarëve për shkak të faturimit në mënyrë të kundërligjshme. Poashtu, Avokati i Popullit bashkë me padi kishte paraqitur edhe kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi në çka Gjykata ka reaguar dhe e ka ndalë një faturim të tillë”.

Ajo ka thënë që ky nuk është vendim përfundimtar  ‘është i shkallës së parë në të cilën ZRRE-ja ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit dhe është e pritshme që të ankohet”.