Fjalë Kyçe

Ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës i akuzuar për korrupsion dënohet me mbi një mijë euro gjobë dhe 6 muaj burg me kusht

Ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës i akuzuar për korrupsion dënohet me mbi një mijë euro gjobë dhe 6 muaj burg me kusht

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për keqpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve, Nazif Krasniqi, duke e dënuar me 1 mijë e 200 euro gjobë dhe 6 muaj burgim me kusht.

Krasniqi ngarkohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishte futur në sistemin elektronik të gjendjes civile personat Leonard Veliaj dhe Sami Gjoca, pa qenë të regjistruar në Librin Amzë të Lindjes.

Paraprakisht, më 15 tetor të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të lidhur në mes të akuzuarit Krasniqi dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Alltën Murseli, Krasniqi për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar” është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv.

Mirëpo, ky dënim sipas gjykatëses Murseli me pëlqimin e të akuzuarit i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 1 mijë e 200 euro.

Ndërsa, sa i përket veprës penale, “falsifikim i dokumentit”, ai është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht që brenda afatit prej një viti të mos kryejë vepër tjetër penale.

Gjykatësja Murseli tha se i akuzuari është i obliguar që dënimin me gjobë ta paguajë me tri këste pas plotfuqishmërisë së vendimit, brenda tre muajve.

Në rast të mospagesës, gjykatësja tha se dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim me burgim, ku një ditë burg llogaritet 20 euro.

Gjithashtu, i akuzuari është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 20 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Palët e pakënaqura, kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Sipas aktakuzës së ngritur me 2 gusht 2021, i akuzuari Nazif Krasniqi në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Prishtinës më 8 gusht dhe më 7 tetor 2016, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishte futur në sistemin elektronik të gjendjes civile personat Leonard Veliaj dhe Sami Gjoca, pa qenë të regjistruar në Librin Amzë të lindjes.

Sipas Prokurorisë, këtë e kishte bërë duke falsifikuar dokumentin zyrtar dhe duke shënuar të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar, në regjistër ose në shkresën zyrtare.

Për këto veprime, Krasniqi ngarkohet me veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar”, nga nenin 422 par 1, të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Si dhe veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, nga nenin 434, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.