Fjalë Kyçe

Analistët komentojnë vendimin e PZAP-it për anulimin e zgjedhjeve në Han të Elezit

Analistët komentojnë vendimin e PZAP-it për anulimin e zgjedhjeve në Han të Elezit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) sot ka marrë vendim të anulojë zgjedhjet për kryetar të komunës në Hanin e Elezit. Analistët vlerësojnë se PZAP duhet të verifikojë dhe të mbrojë votën e qytetarëve përmes rivotimit dhe rinumërimit, atje ku janë evidentuar parregullësi.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandiatit (kryetarit aktual të kësaj komune), Rufki Suma.

“Procesi i votimit do të përsëritet vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Vendimin e PZAP-së për Hanin e Elezit e kanë mirëpritur analistët dhe njohësit e proceseve zgjedhore, pasi siç thanë ata dyshohet se ka pasur manipulime.

Analisti Mazllum Baraliu në një deklaratë për Telegrafin, tha se Komuna e Hanit të Elezit nuk është e vetmja pasi edhe në komuna të tjera ka pasur ankesa për manipulim votash.

“Nuk është shembulli i vetëm i Hanit të Elezit që kishte paralajmërime dhe sinjale se mund te ketë pasur manipulime, plus kur dihet për vite me radhë autoriteti, prestigji, reputacioni i Rufki Sumës, ka qenë i pakontestueshëm nga qytetarët e asaj komune. Dhe e dyta, jo vetëm aty por edhe në komuna tjera janë raportuar ankesa, madje nga pjesëmarrësit e zgjedhjeve, dhe kandidatët për kryetar se ka pasur abuzime me vota”, është shprehur ai.

Baraliu ka shtuar tutje se edhe në pjesën veriore ka pasur manipulime të votave.

“Madje, në pjesën veriore është e qartë se ato përqindje maksimale për të mos thënë të paarritshme në kushte normale”, tha Baraliu.

Analisti Baraliu shtoi se PZAP duhet të verifikojë dhe të mbrojë votën e qytetarëve pasi që ajo është e shenjtë.

“Shkelje mund të ketë dhe është mirë PZAP që ka marrë një vendim të tillë, dhe duhet deri në votën e fundit të verifikohen gjerët dhe të mbrohet vota sepse është e shenjtë, dhe rezultatet të jenë të tilla siç ka qenë ditën e zgjedhjeve dhe jo manipulime siç ka pasur edhe në komunat tjerë”, tha mes tjerash ai.

Ndërsa, analisti Arton Demhasaj tha se ku ka dyshime për shitblerje të votave, duhet të ketë rivotim ose rinumërim.