Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka anuluar vendimin e PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar kryetari aktual i Hanit të Elezit, Rufki Suma.
Ky i fundit ka thënë se nuk di as si ta komentoj këtë vendim, sepse sipas tij, është vendim befasues dhe pa argumente.
“Gjykata Supreme pa asnjë argument vetëm e anulon vendimin e PZAP-it dhe e kthen edhe njëherë për rishqyrtim. Realisht as nuk di çka d.m.th. me kthy për rishqyrtim kur s’ka asnjë dëshmi për çka e kthen në rishqyrtim. Është befasues pak ky vendim”, ka thënë Suma për “Indeksonline”.
I pyetur se a do të ankohet për vendimin e Supremes, ai thotë se po pret që PZAP ta rishqyrtoj edhe njëherë këtë çështje.
“Për Gjykatë Kushtetuese nuk e di njëherë pa e pa vendimin e PZAPi-it s’mund të them asgjë”, ka shtuar Suma.
Kujtojmë se PZAP ditë më parë ka marrë vendim për të çuar në rivotim Hanin e Elezit me dyshimet se ka pasur shitblerje të votave.
Kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi e kishte fituar qysh në raundin e parë këtë komunë.